Ekonomi

Cilësia e karburantit, falsifikimi i të dhënave dhe përzierjet

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Të dhënat që raportohen nga rafineritë dhe importuesit lidhur me hidrokarburet mund të falsifikohen dhe ulja e këtij fenomeni duket se shihet si sfida kryesore e qeverisë. Forumi i 11 për Hidrokarburet në vendet që janë pjesë e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë solli një seri shembujsh sesi janë transpozuar masat lidhur me cilësinë e hidrokarbureve nga njëri vend në tjetrin dhe për Shqipërinë, tre ishin sfidat që u lakuan.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë raportoi në këtë forum se, përveç sfidës së falsifikimit të të dhënave, edhe shtimi i ndotësve që mund të ndodhë gjatë procesit të shpërndarjes përfaqëson një tjetër sfidë, çka është e vështirë të identifikohet, përveçse nëse ato janë të monitoruara dhe analizuara me kujdes. Kjo do të thotë që risku që hidrokarburet të përzihen me elemente të tjera që shtojnë volumin, por që dëmtojnë cilësinë, është një tjetër aspekt që paraqet ky sektor në vend.

Masat e ndërmarra për rafineritë dhe importuesit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raportoi se, gjatë vitit 2019, nga ana e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial është zbatuar një program i fortë kontrolli me fokus rafineritë dhe importuesit, si dhe laboratorët e tyre të testimit. Referuar dokumentit në të cilin është bërë raportimi, MIE nënvizon se hapat që janë hedhur në identifikimin e problematikave që paraqet cilësia në tregun e karburanteve kanë qenë të përqendruar në inspektime dhe analiza laboratorike për çdo nënprodukt të naftës, duke verifikuar paralelisht të dhënat që janë paraqitur nga rafineritë apo nga importuesit për vendet e origjinës së naftës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2018, janë vendosur të paktën 88 masa administrative, me një vlerë prej mbi 34 milionë lekësh. Gjatë vitit 2019, të paktën 5355 tonë naftë dhe 2373 tonë benzinë nga rafineria e Ballshit nuk janë certifikuar. Rastet e mosrespektimit të treguesve apo parametrave, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, lidhur me cilësinë e karburanteve, kanë të bëjnë për benzinën me presionin e avullit, aromatikët dhe benzenin, squfurin kurse për naftën numër cetani, squfuri.

Direktiva lidhur me cilësinë e naftës

Sa herë vjen puna te përputhja e legjislacionit shqiptar me atë europian duket se vendi ynë ia del që punën në letra ta bëjë shpejt, duke prezantuar në disa raste edhe ligje që zbatimi kërkon shumë kohë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka raportuar në Forumin e 11 të Naftës, organizuar me vendet që janë pjesë e Komunitetit të Energjisë se, direkiva është transpozuar plotësisht, ndërkohë mbeten pezull disa aspekte zbatimi. Sipas ministrisë, aktualisht sistemi i kontrollit për cilësinë e karburanteve nga këndvështrimi i aspektit mjedisor është i ngritur ashtu sikurse kërkohet nga kuadri ligjor.

Ngritja e tregut të biokarburanteve, sistemit të uljes së emisioneve të gazrave të dëmshëm që shkaktojnë efektin serë nga transporti dhe sistemi i verifikimit të qëndrueshmërisë së biokarburanteve dhe llogaritja e ciklit të jetës për këto emisione të gazrave me efekt serë nga biokarburantet mbeten ende për t’u ngritur. Laboratori i Kontrollit të Gazit dhe Naftës është një strukturë nën Inspektoratin Teknik dhe Industrial që, në respekt të kuadrit ligjor, kryen analiza laboratorike për mostrat e naftës që merren nga pjesa e importuar e karburantit dhe nga ajo e prodhuar në vend, duke aplikuar standardet në fuqi.

I njëjti bën lëshimin e certifikatës së cilësisë sipas legjislacionit në fuqi, ndërkohë që zhvillohen teste laboratorike për një sërë produktesh që merren në analizë edhe nga një i tretë. Në mënyrë të vazhdueshme, laboratori ka asistencë teknike nga ekspertë të huaj për kalibrimin, mirëmbajtjen dhe shërbimin. Pajisjet monitorohen me standarde të certifikuara për të rritur saktësinë e rezultateve të raportuara.

Pajtueshmëria e cilësisë së karburantit gjatë periudhës 2010-2018

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës tregojnë se vit pas viti janë marrë në analizë mostra të ndryshme në tregun e naftës dhe të benzinës, si nga rafineritë ashtu edhe importuesit. Referuar këtyre shifrave, rezulton se viti 2017 ka pasur numrin më të madh të mostrave të marra në analizë, me 3873 të tilla, ndërkohë që nga ky total, vetëm një mostër ka rezultuar se nuk përputhet me kushtet e kuadrit ligjor.

Viti kur numri i mostrave me shkelje ka qenë më i lartë është 2015, kur në analizë janë marrë 2047, ndërkohë që 141 kanë rezultuar jo sipas standardeve. Në lidhje me benzinën, viti 2018 mban numrin më të ulët të mostrave të konstatuara me shkelje pas analizës në vetëm 13 nga 3009. Viti me mostrat më të larta të marra në analizë është 2017 me 4444, ndërkohë që viti me mostrat më të shumta me shkelje është më 2011 me 267 të tilla nga 3424 të marra në analizë.

Kostot dhe përfitimet nga zbatimi i Direktivës për Cilësinë e Naftës

Raporti i prezantuar në forumin e naftës ka sjellë, ndër të tjera, në vëmendje edhe koston që ka zbatimi i direktivës për cilësinë e karburanteve për një sërë vendesh dhe Shqipëria është vendi me koston më të lartë. Kështu zbatimi i kësaj direktive vlerësohet me kosto 52.2 milionë lekë ndërkohë që përfitimet nga zbatimi i kësaj direktive llogariten në 60.8 milionë euro. Për një pjesë të mirë të vendeve nuk ka shifra për koston apo përfitimin që vjen nga transpozimi. Gjithsesi për Bosnjë-Hercegovinën, kostoja e zbatimit llogaritet në 26.1 milionë euro, teksa përftimi është më i ulët se kaq. E njëjta logjikë vlen edhe për Kosovën, ku kostoja është 52.1 milionë euro, ndërsa përfitimet nga direktiva e cilësisë së naftës llogariten në 32 milionë euro.

Gjeorgjia është përfituesja më e madhe ku kostoja e ndikimit të zbatimit të kësaj direktive është vetëm 80 mijë euro, por përfitimi llogaritet në 195 milionë euro. Këto shifra që në disa raste duken të pakonceptueshme, pasi kostot janë më të larta sesa përfitimet kanë në thelb rritjen e shpenzimeve për të siguruar një cilësi më të mirë që nga ana mjedisore përfaqëson një nivel më të lartë, por që nuk reflektohet në ndryshime monetare. Pra rritet cilësia në ambient, përmes shpenzimeve më të mëdha. “Përfitimet më të mëdha vijnë si derivat i reduktimeve të emisioneve nga ndotësit e ajrit nga mjetet motorike që përdorin naftë që mbulohet nga direktiva e cilësisë së naftës.

Lufta për cilësinë dhe antiinformaliteti, nisma e fundit e qeverisë

Antiinformaliteti, që nisi nga bizneset e turizmit, u zhvendos te pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të raportonte deri në mes të shtatorit se, që prej nisjes së aksionit antiinformalitet janë bllokuar nga ana e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial afro 10 mijë tonë karburant. “Gjatë këtyre aksioneve janë penalizuar me gjoba 24 subjekte tregtare për shkelje të cilësisë dhe sigurisë së tregtimit. Për sasinë e karburantit, e cila është konstatuar si e papërshtatshme për t’u tregtuar, është vendosur për t’u kthyer në vendet e origjinë, ndërsa në disa raste, ajo është kthyer për ripërpunim në rafineri” – do të sqaronte ministria.

Lidhur me cilësinë ministria theksoi pak ditë më parë se ngritja e laboratorit në Porto Romano ishte një tjetër hap që synonte vënien në kontroll të një sasie të konsiderueshme karburanti. Nga ky laborator llogaritet se do të kontrollohet të paktën 85% e naftës që hidhet në treg. Paralelisht ISHTI, institucioni përgjegjës për kontrollin e cilësisë, do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të plotë, si dhe do të shtojë staf, duke kaluar nga 100 në 230 punonjës.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
EkonomiLajme

Ministria e Financave shpreh qëndrimin e saj për buxhetin e vitit 2020

Ekonomi

ATK e mbush buxhetin e shtetit me rreth 500 milionë euro

Ekonomi

Numri i aplikimeve për azil në Gjermani bie për 14 për qind

Ekonomi

Shtetet e Bashkuara kufizojnë eksportet e pajisjeve të inteligjencës artificiale