
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Doha në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen miqësore kundër Suedisë, e cila zhvillohet nesër në orën 15:45 (sipas kohës në Kosovë).
Për dallim nga stërvitjet e ditëve të kaluara, si zakonisht stërvitja e fundit ka qenë pa ngarkesë të madhe fizike, ku përzgjedhësi Bernard Challandes është përqendruar në aspektin taktik, duke provuar skema të ndryshme të lojës dhe duke i dhënë këshillat e nevojshme për lojtarët.
Para kësaj ndeshje, trajneri i Kosovës Bernard Challandes tha:
“Kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë lojtarët për të treguar çfarë mund të japin dhe po ashtu edhe për ne një mundësi e mirë për të parë lojtarët, sidomos ata që luajnë në Kosovë, por edhe ata që janë jashtë që nuk kanë qenë deri tash pjesë e Kombëtares. Mendoj se ky kamp me kushte shumë të mira është një ide e mirë.
Po ashtu, synimi është që t’i shohim disa lojtarë të rinj, jo për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut, por për të ardhmen. Ne kemi 11 lojtarë shumë të ri, nën moshën 21-vjeç dhe jam i lumtur që këtu kemi lojtarë shumë të ri.
Nuk është e lehtë as për ne që t’i shikojmë cilësitë individuale të futbollistëve në kampionatin vendor, pasi shpesh fusha nuk është e mirë. Këtu është ndryshe, sepse kemi stërvitur çdo ditë së bashku dhe kushtet kanë qenë shumë të mira. Shpresoj që të befasojmë edhe me lojë të mirë”, tha Challandes.