Sport

Challandes deklarohet para miqësores me Guinenë

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit para ndeshjes së nesërme miqësore me Guinenë.

Në këtë ndeshje Dardanët do të paraqiten me futbollistë që shihen si potencial për ekipin në ardhmen.

Edhe gjatë stërvitjes së sotme atmosfera tek futbollistët dardanë ishte shumë e mirë, ashtu sikurse edhe përkushtimi në punë dhe harmonia brenda ekipit.

Pas stërvitjes opinionet e tyre para miqësores me Guinenë i dha përzgjedhësi Challandes.

Trajneri zviceran për faqen zyrtare të FFK-së tha se nuk ka qenë e lehtë të gjenin lojtarë për këto ndeshje, teksa u shpreh i lumtur pasi siç ka thënë ai, lojtarët po ndiejnë kënaqësi që janë në Antalia para ndeshjeve.

“E kemi nisur këtë kamp stërvitur për dy ndeshjet e radhës, me një ekip krejtësisht të ri. Nuk ishte aspak lehtë të gjenim lojtarët për këto ndeshje në këtë kohë. Disa lojtarë në pushim, disa e kanë përfunduar kampionatin para tri javësh. Kemi lojtarë me U21, kurse disa të tjerë që po përgatiten me ekipet e tyre për kupat evropiane. Nuk ishte aspak lehtë të ndërtojmë një ekip. Por, jam shumë i lumtur që lojtarët po ndiejnë kënaqësi që janë këtu. Kanë bërë punë të mirë, kanë treguar mentalitet të mirë. Ky ekip kurrë nuk ka luajtur së bashku, nuk është lehtë të gjendet lidhja menjëherë”, tha Challandes.

“Janë lojtarë të ri dhe ata janë të mirë dhe ne jemi munduar të bëjmë më të mirën me tri stërvitje. Do të luajmë kundër dy ekipeve të forta nga Afrika. Guinea është në Top 20 në Afrikë dhe ka luajtur ndeshje të mirë me Turqinë 0:0. Kundërshtar i fortë, fizikisht, teknikisht e taktikisht. Për lojtarët tanë të rinj është një përvojë e vështirë, por ne mund të mësojmë nga situatat e tilla”, shtoi ai.

“Do të jetë mirë t’i shohim lojtarët në situata të tilla dhe të japim një përgjigje si ekip sepse individualisht nuk është aspak e lehtë. Shpresoj që ekipi të luftojë, të tregohet si kundërshtar i fortë. Jam paska i frikësuar, por edhe i kënaqur. Kemi lojtarë të rinj për të ardhmen, të cilët do t’i shohim. Ju kam thënë se duhet të luajnë për ekipin dhe për të ardhmen e tyre. Do të ketë shumë skautë këtu dhe ndoshta mund ta shohin një lojtarë nga Kosova”, nënvizoi Challandes.

“Pishman jam vetëm për kohën sepse ishte e vështirë të gjenden lojtarët në formë fizike menjëherë pas pushimeve. Ndeshjet e forta fizike mund të jenë të rrezikshme, por ne jemi munduar të bëjmë përgatitjet e duhura për këto dy ndeshje. Besoj se jemi të gatshëm dhe këtë do ta tregojmë në fushë”, përfundoi përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës.

Miqësorja ndërmjet Guinesë dhe Kosovës luhet nesër me fillim nga ora 16:00, sipas kohës tonë lokale.

Postime të ngjajshme
Sport

A ia lejon ligji italian Eriksenit të luaj përsëri për Interin?

Sport

Visoka tregon pse e zgjodhi Ferizajin dhe ka një premtim për “Ujqërit”

Sport

Mourinho me deklaratë prekëse pë Eriksen

Sport

Skandaloze: Serbo-austrikau e shanë me nënë futbollistin shqiptar të Maqedonisë