Lajme

Çfarë thoshte babai i Kadri Veselit për bisedën me djalin e vogël

Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit dhe ish-shefit të Inteligjencës së UÇK-së, Kadri Veselit, ka vdekur sot. Muajt e fundit të jetës së tij, ai i kaloi pa djalin e tij, i cili në fillim të nëntorit të vitit të kaluar bashkë me ish-krerë të tjerë të UÇK-së u arrestua me urdhër të Gjykatës Speciale dhe u dërgua në paraburgim në Hagë.

Në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, babai i Veselit kishte treguar se çfarë fliste me djalin e tij më të vogël gjatë kohës kur ai kishte vendosur t’i përkushtohej luftës me Serbinë dhe të përgatitej strategjikisht për përballjen e përgjakshme që dukej e pashmangshme.

“I kam thanë ‘bre bir, i keni nis do sene që është zor me u dalë në krye’. ‘Hajt babë mos kij ti gajle’, qet’ fjalë ma ka përmend”, tregonte Fazli Veseli.

Ai kujtonte edhe kohën gjatë viteve të ’90-ta, kur autoritetet serbe e kërkonin djalin e tij, Kadriun.

“Vallahi drejt me thanë janë ardhë, po unë nuk u kam dhanë fort… ma së pari qyqan nuk jam kanë kurrë. Iu kam thanë ai është në shkollë, unë në shkollë e kam çu, veç me u shkollu e me ditë diçka”, tregonte ai.

Fazli Veseli thoshte se “Prej që më ka falë Zoti, gjithë të ndrydhur jena kanë”. Por ai shprehej i lumtur që në vitin 2018 mund ta shijonte lirinë dhe t’i shihte në krye të shtetit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mirë që na bani Zoti nasip, po i shohim djemtë tanë, po na udhëheqin djemtë tanë, ma mirë çka do tjetër?”, thoshte babai i Kadri Veselit për RTK-në.

Fazli Veseli prej muajsh ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Takimin e fundit me babanë, Kadri Veseli e pati në Spitalin e Mitrovicës në maj të këtij viti. Gjykata Speciale e liroi përkohësisht për ta bërë këtë vizitë.

Me të mbërritur në Kosovë, Veseli kishte shkuar në spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.

Pas qëndrimit në Kosovë, ai ishte kthyer sërish në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ku po mbahet nën akuza të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Postime të ngjajshme
LajmeShow Bizz

Morena Taraku mesazh publik Edi Ramës! Me fjalë të ashpëra zbulon diçka që nuk e kemi ditur

Lajme

“Për këtë punë mos na u dok ma këtu” – Çifti i moshuar që jetojnë të vetëm, tash e pesë ditë s’kanë rrymë

LajmeShow Bizz

Lola Haradinaj tregon se si hoqi dorë nga muzika dhe arsyeja ishte Dauti

Lajme

Italia me masa të reja anti-COVID, kufizime për qytetarët që udhëtojnë në këtë shtet