Lajme

Çfarë është “Plani Marshall” për të cilin po flet Albin Kurti?

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti në kohën kur për një periudhë të shkurtër e provoi postin e shefit të Qeverisë, e kishte përmednur “Planin Marshall” si një zgjidhje për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë ide, ai e ka rishpalosur në një intervistë për gazetën zvicerane, “Le Temps”.

Në panelin e diskutimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih, të mbajtur një vit më parë, kishte rrjedhur një video-incizim ku Albin Kurti ai kryeministër i Kosovës fliste për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe idenë e rrezikshme të ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër të tjera, Kurti kishte propozuar që në vend të “Mini-Shengenit” ballkanik, Bashkimi Evropian ta implementonte një “Mini-Marshall Plan” për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Kosovën, Serbinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut).

“Kjo ideja e ‘Minishengenit’ nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë. Njëjtë sikur “Plani Marshall”, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një ‘Mini-Marshall Plan’ për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ishte shprehur Kurti në konferencën e mbajtur në Mynih të Gjermanisë.

Çfarë është “Plani Marshall”, të cilin po e propozon Albin Kurti?

“Plani Marshall” ishte një fond ndihmash i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar shtetet e Evropës në rimëkëmbjen ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore.

“Planin Marshall” e kishte propozuar Sekretari i Shtetit George Marshall në vitin 1947.

Presidenti amerikan Harry Truman nënshkroi “Planin Marshall” më 3 prill 1948, dhe ndihma financiare ishte shpërndarë tek 16 shtete evropiane, duke përfshirë Britaninë, Francën, Belgjikën, Holandën, Gjermaninë Perëndimore dhe Norvegjinë.

Ky plan kishte ofruar më shumë se 13 miliardë dollarë ndihma për shtetet e Evropës të cilat kanë qenë të shkatërruara nga Lufta e Dytë Botërore.

Pas përfundimit të planit në vitin 1951, të gjitha shtetet të cilat kishin përfituar nga “Plani Marshall”, kishin shënuar rritje të konsiderueshme ekonomike. Për këtë arsye ky plan ishte konsideruar i suksesshëm.

“Plani Marshall” ishte konsideruar më shumë sesa një plan ekonomik. Krijimi i këtij plani çoi në themelimin e NATO-s si një aleancë mbrojtëse. Sekretari i Shtetit, George Marshall fitoi çmimin Nobel për Paqe në vitin 1953 për përpjekjet e tij në zbatimin e “Planit Marshall”.

Postime të ngjajshme
Lajme

Albin Kurtit i ndryshon ‘matematika’, ja sa deputetë i duhen për formimin e qeverisë

LajmeZgjedhjet 2021

Ku u votua më shumë Vjosa Osmani?

Lajme

Ish-deputetët e LDK’së që nuk arritën të bëhen deputetë në këtë legjislaturë

LajmeZgjedhjet 2021

Kaq vota mori Behgjet Pacolli në zgjedhje