Ekonomi

Britania e Madhe, planifikon të taksojë vizitorët e BE-së dhe jashtë saj

Sekretarja e Brendshme, Priti Patel konfirmon planet për të prezantuar një Autorizim të ri Elektronik të Udhëtimit për vizitorët e huaj.

Qeveria Britanike konfirmoi planet për të taksuar qytetarët e BE-së dhe shtetas të tjerë të huaj që do të vijnë për ta vizituar këtë shtet, si pjesë e një reforme më të gjerë që synon ta bëjë kufirin më të sigurt.

Sekretarja e Brendshme Priti Patel tha se departamenti i saj do të miratojë legjislacionin për të prezantuar një Autorizim të ri Elektronik të Udhëtimit (ETA) që sipas saj do të ndihmojë qeverinë të gjurmojë me më shumë saktësi numrin e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga Britania e Madhe. Ai do të zbatohet për vizitorët pa vizë ose statusin e emigracionit, përveç qytetarëve britanikë dhe irlandezë.

Gjatë fjalimit të saj mbi planin e ri të qeverisë mbi emigracionin, znj. Patel vuri në dukje se shumë vende të tjera tashmë kanë sisteme të ngjashme me ETA, por nuk pranoi të sqaronte se sa do t’u kushtonte kjo vizitorëve.

Skema do të pasqyrojë Sistemin Elektronik Amerikan për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili ka një kosto prej 14 dollarësh për udhëtar. BE-ja është gjithashtu duke prezantuar një program të ngjashëm, të njohur si Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili pritet të nisë nga 2022 dhe do të zbatohet për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar me një tarifë të parashikuar prej 7 eurosh.

“Ne do të kemi saktësi më të madhe mbi të dhënat, do të jemi në gjendje të numërojmë se kush hyn dhe kush del nga vendi ynë. Kjo do të bëjë që ne të kemi të dhëna të sakta si për shembull në drejtim të numrit të emigrantëve, duke mos spekuluar në këtë mënyrë nëse këto shifra kanë tendencë rritëse apo rënëse”, tha znj. Patel.

Vizitorët do të plotësojnë një formular online para se të udhëtojnë në Britaninë e Madhe, i cili do t’i krijojë mundësinë Ministrisë së Brendshme të kryejë kontrolle sigurie dhe të marrë vendime nëse dikush duhet të lejohet të hyjë në vend në një fazë të hershme.

ETA pritet të hyjë në fuqi deri në vitin 2025, por sipas Salma Shah, një ish- këshilltare speciale e Sajid Javid kur ai ishte Sekretar i Brendshëm, “Ne ndoshta do të shohim shumë më shumë … ndryshime para se të shohim një zgjidhje të vërtetë modeli të emigracionit dhe praktikat rreth asaj se si ne e ofrojmë sistemin e emigracionit.”

Ndryshimet dixhitale në kufi janë vetëm një element i reformave të ligjit të emigracionit të përshkruara në fjalimin e znj. Patel.

Sekretarja e Brendshme ripohoi planet për të përshpejtuar procesin e largimit të emigrantëve pa dokumente dhe për të goditur ata që transportojnë në mënyrë ilegale njerëzit nga shtete të tjera, të cilët do të përballen me 14 vite burg, dënimi maksimal për këtë krim.

Patel gjithashtu u zotua se do të vazhdonte përpara edhe me një reformë të sistemit të azilit, e cila ajo tha se tashmë u kishte kushtuar taksapaguesve të Mbretërisë së Bashkuar 1 miliard paund për këtë vit. Ajo këmbënguli se qëllimi i paketës së reformës është të vendosë sigurinë dhe inovacionin në zemër të politikës së emigracionit të Britanisë pas Brexit dhe hodhi poshtë pretendimet se Britania po tërhiqet nga bota./Politico.eu

Postime të ngjajshme
EkonomiLajme

Qeveria merr vendim për rimbursimin e qytetarëve që kanë tërhequr 10% nga Trusti

EkonomiLajme

Si u bë Zvicra kaq e pasur?

EkonomiLajme

Kaq miliardë euro dërgoi mërgata në Kosovë që nga Pavarësia

EkonomiLajme

Çka është paga e 13-të në Zvicër dhe si llogaritet?