Sport

‘Brazili i Evropës’- Kush është formacioni A i Kosovës? Mundësitë e pafundme të Challandes: Historia po shkruhet

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Kosova. Dardanët. Djemtë e Vokrrit. Kombëtarja e re. Këto janë fjalët kryesore të bisedave që dëgjohen në gjithë Kosovën, pas secilës ndeshje që kombëtarja dardane luan.

Fitorja e shënuar dje kundër Republikës së Çekisë, rriti shumë entuziazmin e përkrahësve të Kosovës, në ëndrrën e tyre drejt Euro 2020, pasur parasysh se kundërshtari i gjunjëzuar në ‘Fadil Vokrri’ është konkurrenti kryesorë për vendin e dytë në Grupin A, pasi Anglia llogaritet gjithmonë në pozitën e parë. Suksesi i korrur kundër çekve, i dha hapësirë të madhe Kosovës edhe në mediet evropiane, disa prej të cilave i referohen tashmë si ‘Brazili i Evropës’, shkruan lajmi.net.

Golat e Vedat Muriqit dhe Mërgim Vojvodës shkaktuan ‘termet’ në tempullin dardan ‘Fadil Vokrri’, duke i dhënë Kosovës tri pikë të arta në rrugëtimin drejt Kampionatit Evropian, rrugëtim ky që është i pari për Dardanët në këtë kompeticion, e që me shumë gjasë mund të jetë historik.

Para fillimit të kësaj ndeshje, presioni ishte jashtëzakonisht i madh mbi kombëtaren e re (lojtarët e trajnerin). Shkaku kryesorë ishin mungesat e shumta, disa prej të cilave u konfirmuan vetëm në javën e fundit, duke vështirësuar edhe më shumë punët e selektorit, i cili deri në atë pikë, duhej të kishte pasur ‘bazën’ e planit për dy ndeshjet e radhës. Gjithsesi, ‘fatkeqësia’ ndodhi. Milot Rashica, Benjamin Kololli, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu e Arbër Zeneli nuk do të ishin të gatshëm për dy ndeshjet vendimtare.

Bernard Challandes e priti një punë e vështirë. Lista duhej publikuar. Emrat kryesorë mungonin, kurse tifozët ishin vënë në kërkim të lojtarëve që ata besonin se mund të zëvendësonin mungesat. Trajneri tha fjalën e tij. Emra si ai i Lirim Kastratit munguan, e besa edhe nxitën reagime të shumta, të paktën deri në ditën e ndeshjes, shkruan lajmi.net.

Dita e ndeshjes erdhi. Formacioni u zbulua. Startuan Aro Muric, Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Hadërgjonaj; Halimi, Voca, Zhegrova, Celina, Rashani e Muriqi. Minutat e para të zymta. Kosova në disavantazh dhe dyshimet e para filluan të lindin. A mundemi vërtetë pa emra si Rashica e Zeneli, Kryeziu e Shala? Por, luanët e Kosovës reaguan shpejtë. Fytyra e skuadrës ndryshoi, me Vedat Muriqin që shtyn topin në rrjetë, pas asistimit të Elbasan Rashanit dhe gjithçka balancohet.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1:1, kurse për fillimin e pjesës së dytë, sytë ishin tek selektori zviceran, Challandes, nga i cili priteshin lëvizje në formacion. Valon Berisha lëvizja e parë nga stoli, me Rashanin që i lëshon vendin. Celina kalon në krahun e majtë. Vetëm pesë minuta më vonë, Edon Zhegrova lë vendin për Florent Muslijën, në një zëvendësim kokë për kokë. Dhe.. loja ndryshoi. 11 minuta më vonë, Kosova kalon në epërsi ndaj Çekisë. Epilogu, fitore 2:1. Të gjithë lojtarët e aktivizuar dhanë maksimumin dhe mbuluan gati në përpikmëri hapësirat.

Pas ndeshjes, lindi vetëm një pyetje. A ka Kosova një formacion A? Nëse po, cili është ai? Zhegrova, Muslija, Avdijaj, Bernard Berisha, Lirim Kastrati, Ibrahim Dresevic, Valon Berisha? Tre emra për një pozitë! Gjithë këto mundësi në rotacion janë ndihmë e madhe për Challandes, por edhe e fusin trajnerin në telashe. Një Kosovë e vogël në territor, por e madhe në kualitet. Një Brazil në Evropën Juglindore. Një komb i ri, që futbolli/sporti po i jep krahët për ta bërë historinë, e cila ishte mbuluar me gjak. 22+ lojtarë që pas ndeshjes deklarojnë se janë të gatshëm që të lënë shpirtin në fushë.

Kosova po ecën përpara. Fëmijët që dikur u larguan me dhunë nga ky vend, tashmë po i fitojnë zemrat e të gjithëve. Bota po shkruan për Kosovën, falë suksesit të Djemve të Vokrrit, shkruan lajmi.net.

Dhe, krejt në fund, pyetja kryesore… Me gjithë këta emra e këtë kualitet, kush është formacioni A i Kosovës? Kur të gjithë lojtarët do të jenë në dispozicion, kush do të startojë?

Më poshtë, lajmi.net ua përcjell disa versione, ku shihet se Kosova ka në dispozicion nga së paku dy emra për një pozitë.

Vlen të cekët fakti se në këtë listë nuk figurojnë emra si Labinot Kabashi, Anel Rashkaj, ose potencialisht edhe Elvis Rexhbecaj apo Bastien Toma, por edhe shumë të tjerë që gjithmonë presin ftesën nga Bernard Challandes.

Ëndrra vazhdon. Kosova drejt Euro 2020. Pa frikë, të pamposhtur në 15 ndeshje. Tashmë, na përkrahin edhe ata që dyshuan.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
Sport

I mbajtur një vit në burgun serb pasi e ngatërruan me dikë tjetër, Petrit Dula pas lirimit rrëfen për periudhën e vështirë që kaloi

Sport

Gjilani kalon në epërsi ndaj Llapit

Sport

Shënon Llapi, e ngushton rezultatin

Sport

Duka më i votuari në UEFA, rizgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv