Ekonomi

BQK, kanë mbajtur takim virtual me drejtuesit e Shoqatës së Bankave të Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti dhe Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare Sokol Havolli, kanë mbajtur një takim virtual me drejtuesit e Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe drejtorët e bankave. Në këtë takim virtual është diskutuar për situatën aktuale të sektorit bankar, i cili deri më tani me sukses ka përballuar sfidat operacionale të pandemisë, duke vazhduar kreditimin e ekonomisë, si dhe duke ofruar të gjitha shërbimet tjera bankare.

Sistemi bankar ka vazhduar të karakterizohet me nivele të larta të kapitalit dhe të likuiditetit, si dhe kualitet shumë të mirë të mjeteve, si rezultat i rregullativës adekuate financiare si dhe standardeve të larta mbikëqyrëse. Në këtë takim është bërë e ditur se pas monitorimit nga afër të zhvillimeve lidhur me pandeminë COVID-19 dhe në veçanti, ndikimin e valës së dytë të COVID-19 dhe kufizimet përkatëse të Qeverisë për të parandaluar përhapjen e pandemisë, të martën Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka aprovuar udhëzuesin e ri për ristrukturim të kredive për shkak të COVID-19. Qëllimi i këtij udhëzuesi është që kredimarrësve që kanë hasur në vështirësi financiare si pasojë e pandemisë t’iu lehtësohet barra kreditore duke bërë ristrukturim të kredive pa implikuar ndonjë përkeqësim të tyre në regjistrin kreditor të Kosovës.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se roli i bankave për të siguruar rrjedhën e vazhdueshme të kreditimit për klientët mbetet i një rëndësie të madhe dhe me aprovimin e këtij udhëzimi, BQK-ja njeh rrethanat e krijuara në vend nga vala e dytë e COVID-19.

Një nga masat e marra nga Banka Qendrore e Kosovës në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar është edhe ndalesa e përkohshme e shpërndarjes së dividentës, andaj nga ana e përfaqësuesve të bankave u ngrit kjo çështje duke kërkuar që të rishikohet kjo masë e ndalesës. Zëvendësguvernatori Havolli theksoi se BQK-ja do ta rishikojë këtë masë dhe se çështja e shpërndarjes së dividentës do të trajtohet në pajtueshmëri të plotë me praktikat dhe vendimet e Bankës Qendrore Evropiane.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti tha se BQK-ja mbetet e përkushtuar të ofrojë të gjitha lehtësimet e nevojshme në shërbim të tejkalimit sa më të lehtë të këtyre sfidave me të cilat po ballafaqohet ekonomia jonë, por gjithmonë duke pasur parasysh se sigurimi i stabilitetit financiar mbetet objektivi jonë kryesor. Po ashtu inkurajoi të gjithë përfaqësuesit e sektorit bankar që të forcojnë edhe më tej partneritetin me klientët, duke iu ofruar kushte sa më të përshtatshme për tejkalimin e sfidave që i ka shkaktuar COVID-19 në ekonominë tonë, por këto lehtësira kërkohet të jenë të bazuara në analiza të mirëfillta të riskut në mënyrë që mos të cenojnë qëndrueshmërinë e bankave.

Përfaqësuesit e bankave falënderuan BQK-në për bashkëpunimin konstruktiv si dhe qasjen proaktive të saj në lidhje me masat e marra, dhe u zotuan që të rrisin mbështetjen për ekonominë e vendit.

Postime të ngjajshme
Ekonomi

Shkalla e papunësisë në Bashkimin Evropian u rrit në 7.3 për qind në janar

Ekonomi

BE rekomandon pezullim dhe moszbatim të rregullave financiare deri në vitin 2023

Ekonomi

Bankat në Turqi, fitimi neto i bankave u rrit nga rreth 10.5 miliardë lira turke

Ekonomi

Rritja e çmimit të naftës, tensionim i raporteve në mes të Arabisë Saudit dhe Rusisë