
Feronikeli, i motivuar pas kalimit në çerekfinale të Kupës së Kosovës, do ta presë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas skuadrën e Gjilanit.
Gjilanasit vijnë në këtë ndeshje pas eliminimit befasues në Kupë nga Istogu, që bënë gara në Ligën e Parë. Kjo do të jetë ndeshja e tretë mes këtyre ekipeve këtë sezon. Feronikeli e kishte mposhtur Gjilanin në Drenas 4:0, kurse në stadiumin e qytetit në Gjilan dueli kishte përfunduar baras, 0:0.
Mesfushori i Feronikelit, Besmir Bojku ka deklaruar për “Kohën” se skuadra është e gatshme të ndeshet me Gjilanin. Sipas tij, Feronikeli do të hyjë për të shënuar fitore.
“Sigurisht, Feronikeli gjithmonë shkon për të marrë pikët e plota. Shpresojmë të vazhdojmë me rezultate të mira edhe në kampionat, pas kalimit në çerekfinale të Kupës së Kosovës”, tha Bojku të dielën.
Futbollisti nga Maqedonia e Veriut e sheh si të vështirë zhvillimin e ndeshjes në kushte jo të favorshme, pas të reshurave të borës.
“Sigurisht do të jenë pengesë temperaturat e ulëta dhe bora, pasi nuk mund të bësh futboll të bukur, por shpresoj të marrim pikët e plota”, tha Bojku.
Dueli ndërmjet Feronikelit dhe Gjilanit zhvillohet nga ora 13:00.