Lajme

Akademiku serb tha se Kosova nuk është e Serbisë, vjen reagimi nga Vucic

Presidenti i Serbisë ,Aleksandar Vucic, pas një jave ka deklaruar se nuk mund ta kuptojë histerinë në Serbi për shkak të fjalëve që i ka thënë së fundmi për Kosovën, kryetari i Akademisë Serbe të Shkencave, Vladimir Kostic. Ai shtoi se në një çështje pajtohet me akademikun serb se ka nevojë për zgjidhje dhe se dialogu është i nevojshëm, transmeton Gazeta Metro.

Vucic tha se ka mendime të kundërta me kryetarin e Akademisë Serbe dhe se “pothuajse për asgjë nuk jam dakord me të. Por, duhet të bisedojmë dhe tolerojmë njëri-tjetrin, dhe jo t’ia shajmë nënën dikujt nëse mendon ndryshe”.

“Ai është një njeri që tregoi guxim dhe përgjegjësi për të shprehur një qëndrim që nuk është i shumicës, ashtu si filluan sulmet kur përmenda se duhej bërë përkufizimi i kufirit [me Kosovën]. Më sulmuan nga të gjitha anët, dhe askush nuk më ofroi kurrë një alternativë, përveç ‘prisni’. Dhe çfarë do të presim? As vet nuk e di se çfarë do të presim”, ka thënë Vucic, duke komentuar deklaratën e akademikut Kostic, të bërë fundmi në mediat serbe, se pse mendon që është e nevojshme që dikush t’ua thotë serbëve qartë dhe me zë të lartë se Kosova nuk është as de facto e as de jure e Serbisë.
Vucic, në televizionin serb Happy tha se pajtohet me kreun e Akademisë Serbe lidhur me status quo-n në Kosovë.

Të përkujtojmë se akademiku Kostiq paralajmëroi për pasojat negative të ruajtjes së asaj situate, duke thënë se një gjë e tillë në të vërtetë nuk ekziston, “status quo do të përdoret nga ata që në të vërtetë duan ta formojnë shtetësinë e tyre në mënyrën siç kanë bërë për 20 vjet”.

“Sa i përket konfliktit të ngrirë, unë mendoj njëlloj si akademiku Kostic. Është në pyetje vetëm se kush do të jetë i pari që do ta nxjerr shpatën. A do të ndodhë kjo për pesë, 10 apo 20 vjet … A do të dëshironit që fëmija juaj të merrte pjesë në atë? Unë kam dy djem dhe nuk do të doja. Nuk do të doja që dikush një ditë t’mi kthejë në arkivol. Natyrisht, sikur që nuk do të doja të them se ‘Kosova dhe Metohia’ është e tyre, apo diçka të ngjashme”, tha Vucic.

“Sidoqoftë, duhet të ulemi për të biseduar, për të rënë dakord mes nesh, për të qenë korrekt dhe të drejtë dhe për të thënë se çfarë është një zgjidhje kompromisi. Nëse nuk kemi një mundësi, atëherë të gjejmë dhjetë mundësi për të ruajtur paqen, nëse është fare e mundur. Mendoj se është një qasje racionale dhe serioze. Fakti që ne do t’i bërtasim presidentit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, sepse ne jemi patriotë të mëdhenj … Dhe për çfarë janë më mirë disa prej nesh? Për atë që kemi më shumë xhipa, Maserati dhe Ferrari? Ai është budalla dhe ju jeni i zgjuar? Ka të vërtetë në atë për çfarë ai po fliste, ka gjëra që unë mendoj se mund të marrim më shumë, nuk mund të pajtohem plotësisht”, tha Vucic.

Të shtunën është paralajmëruar për protestë në Beograd para ndërtesës së Akademisë së Serbisë nga nacionalistë serb që kërkojnë përjashtimin e tij, derisa i kanë kërcënuar anëtarët tjerë se do të “mbahen përgjegjës” po ashtu për deklaratat anti serbe të akademikut.
Kostic kishte deklaruar në median serbe Newsmax Adria javën e kaluar si reagim ndaj Vladika Grigorije i Kishës Ortodokse Serbe duke e këshilluar që serbët nuk kanë nevojë për folklorizma që i bëjnë serbët të ndihen më heroik. Ai madje kishte shtuar se “Kosova nuk është e jona dhe bëjmë mirë ta kuptojmëë sa më parë”. Vladika Grigorije kishte thënë edhe diçka tjetër që nxehu atmosferën në Serbi pasi tha se Serbia nuk duhet të varet nga vetëm një njeri. Kjo u pa si sfidë ndaj pushtetit të Vucic nga ai vet dhe nga qarqe brenda kishës të afërta me opozitën./gazetametro.net

Postime të ngjajshme
Lajme

Isa Mustafa pas adresimit për media të Vjosa Osmanit: Sjellje rebele, nuk e meriton të jetë presidente!

Lajme

‘Bombardohet’ Ambasada ruse në Facebook pas reagimit ndaj Haradinajt

Lajme

Është analisti më i njohur kosovar, a mund t’ia qëlloni për kë bëhet fjalë?

Lajme

Osmani: Ajo që ndodhi dje në KQZ lëndoi procesin, nëse përsëritet do të marr masa