Lajme

Afër 10 milionë euro gjoba për qytetarët e Kosovës: A duhet të ndryshojë qëndrim qeveria?

Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së sotme nuk e miratoi rezolutën e propozuar nga AAK-ja, për faljen e gjobave gjatë kohës së pandemisë për qytetarët e Kosovës. Kjo kërkesë, përveç partive opozitare u bë edhe nga qytetarët të cilët morën shembull vendet në rajon që i falën këto gjoba. Ndërsa, edhe Partia Socialdemokrate (PSD) nga java e kaluar nisi peticionin për faljen e këtyre gjobave nga ana e qeverisë.

Afër 10 milionë euro është vlera e gjobave të shqiptuara për qytetarët e vendin që nga shfaqja e pandemisë deri më 15 maj. Kështu tha në një prononcim për Demokracia.com, Teutë Rrusta nga PSD-ja.

‘’Sipas raportit të Policisë së Kosovës vetëm deri më 15 maj janë shqiptuar rreth 200 mijë gjoba për qytetarët, vlera e të cilave arrin afro 10 milion euro’’, tha Rrusta.

Rrusta shtoi se në peticionin e mbajtur në qytetet e Kosovës kanë mbledhur nënshkrimet për faljen e gjobave vetëm për qytetarët e dënuar, pa përfshirë bizneset.

‘’Ka një dallim mes gjobave të shqiptuara ndaj bizneseve dhe të atyre ndaj qytetarëve dhe ne përmes peticionit kemi mbledh nënshkrimet e qytetarëve për faljen e gjobave për qytetarët dhe deri më tani keni mbledhur rreth 7 mijë nënshkrime’’, tha Rrusta për Demokracia.com

Përveç PSD-së, edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) javën e kaluar doli me një publikim ku kërkoi faljen e gjobave të bëra në kohë pandemie.

Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala për Demokracia.com tha se përveç protestave nga qytetarët, kjo çështje duhet të shkoj deri te padia në Gjykatë.

‘’Duhet që qytetarët nëpërmjet protestave ta kundërshtojnë këtë vendim të qeverisë dhe kjo kërkesë të shkohet edhe në instancat më të larta pra në Gjykatë ku të bëhet padi lidhur me këtë vendim. Jemi në një fazë të ndjeshme dhe të rënduar ekonomikisht për të gjithë e sidomos bizneset të cilat në kohën më të madhe nuk kanë punuar dhe kanë shumë borxhe prandaj lirimi nga këto gjoba do të ishte më e pakta që qeveria mund të bënte. Ne duhet të marrim shembujt e qeverive të vendeve të rajonit që i kanë hequr këto gjoba sepse jemi buzë falimentimit’’, tha ai.

Analisti Visar Ymeri për Demokracia.com ka thënë për Demokracia.com se edhe Kosova duhet të ndjek shembullin e Shqipërisë për faljen e gjobave.

‘’Disa prej gjobave për qytetarë janë shumë të larta. P.sh 200 euro është gjoba e caktuar me ligj për shkelje të orës policore. Ndërsa si masë emergjente Qeveria Kurti 1 pati nda vetëm 170 euro në muaj për punëtorët të cilët nuk janë paguar nga punëdhënësi për shkak të mbylljes totale në muajt mars, prill e maj të vitit të kaluar. Pra, gjoba është më e lartë se paga mujore e atëhershme. Prej vendeve të rajonit Shqipëria ka nxjerrë vendim qeveritar për t’i falur të gjitha gjobat ndaj qytetarëve, madje edhe t’ua kthejë atyre që ato i kishin paguar me kohë’’, tha Ymeri për Demokracia.com

Ymeri tha se pikërisht qëllimi i këtyre gjobave do të duhej të ishte parandalimi i përhapjes së virusit dhe jo ndëshkimi i tillë i qytetarëve.

‘’Mbledhja e gjobave tash (kur qartazi një efekt i tillë më nuk po kërkohet) ngjason më shumë me qëllimin ndëshkues të gjobës së sa parandalues’’, tha Ymeri.

Ai pati edhe një kritikë për ministrin Hekuran Murati.

‘’Deklarimi i Ministrit të Financave sot se me gjoba dhe me tatime mbahet shteti, është problematik në këtë pikë: Shteti nuk duhet t’i bazojë financat e veta në gjobat e ndërlidhura me pandeminë sepse prapë po e them qëllimi i tyre nuk është rritja e të hyrave buxhetore por parandalimi i infektimit. Nëse shteti i bazon financat e veta në këto gjoba atëherë i bie që sa më shumë që shkelen rregullat e ndalesat të ndërlidhura me pandeminë aq më mirë për shtetin sepse mbledh më shumë të hyra. Pra sa më shumë që shpërndahet infektimi aq më mirë për buxhetin e shtetit. Kjo mënyrë e të menduarit është edhe morbide edhe absurd’’, tha Ymeri.

Demokracia.com e ka pyetur analistin Ymeri se si duhet të veprohet më tutje në këtë rast.

‘’PSD është në proces të mbledhjes së nënshkrimeve që do t’i dorëzojë të formë të Peticionit mbështetës për nismë ligjore në Kuvend. Mendoj që deputetët duhet ta trajtojnë atë ligj seriozisht dhe ta miratojnë atë’’, tha Ymeri.

Si shumë deputetë sot gjatë seancës Ymeri për Demokracia.com tha se përderisa partitë politike organizuan tubime gjatë fushatës elektorale dhe rrezikuan qytetarët, do të duhet të ketë ndëshkim ose falje për të gjithë.

‘’Mendoj që do të kishte qenë e udhës që qytetarët të organizohen dhe të bëjnë padi kolektiva ndaj organeve të shtetit për zbatim selektiv të ligjit. Ose ndëshkoi të gjithë ose faljau të gjithëve. E jo të ndëshkohen qytetarët e të falen partitë e pushteti’’, tha Ymeri për Demokracia.com

Sot më 22 vota për, 43 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk arriti ta miratojë rezolutën e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për faljen e gjobave gjatë kohës së pandemisë për qytetarët e Kosovës.

Postime të ngjajshme
Lajme

Detaje tronditëse për vrasjen e mbrëmshme në Rahovec, dyshohet se vëllau vrau vëllanë

Lajme

Parashikimi i motit për nesër

Lajme

Duda Balje: Nuk jam më e ëmbël se dudi, por ......

Lajme

Ky është personi i cili ndërroi jetë në aksidentin e sontëm