Lajme

Abdixhiku vjen me 8 rekomandime për daljen nga situata alarmante me pandeminë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka reaguar pas bilancit të zi me koronavirus, 36 të vdekur vetëm në 24 orë në Kosovë, duke thënë se kjo është një tragjedi kombëtare.

Ai në një postim në Facebook ka dalë me tetë rekomandime për daljen nga situata e krijuar si pasojë e numrit të madh të rasteve të reja dhe viktimave nga koronavirus.

Postimi i plotë:

Pa fjalë. Është tragjedi kombëtare kjo. Bashkëndjejmë me 36 familjet kosovare sot e me qindra të tjera që humbën të afërmit këto ditë. Jemi të gjithë në zi. Fatkeqësisht, ka javë të tëra që po ngremë zërin për rritjen eksponenciale të të prekurve në pandemi; pa ndonjë reagim thelbësor të Qeverisë. Abstenimi i shtetit përfundon në tragjedi.

Prandaj, i bëj thirrje pushtetarëve të Qeverisë të dalin në krye të përgjegjësisë. Të sillen si shtet. Për këtë u japim dhe 8 rekomandimet të ekspertëve tanë të shëndetësisë, rekomandime që duhen të implementohen menjëherë dhe pa vonesë:

1. Të shtohen ditët e vaksinimit në shtatë; vikendeve s’mund të pushohet më. Në këtë gjendje alarmante pushimi i shtetit është i pakuptimtë.

2. Të hapen qendrat mobile të vaksinimit nëpër secilën komunë nëpër Kosovë. Të shpërndahen vaksinat tek qytetarët tanë e të thjeshtohet i gjithë procesi vaksinues.

3. Të shtrëngohen masat për të pa vaksinuarit e të lehtësohen për secilin tjetër që përfundon këtë proces të domosdoshëm e jetik.

4. Të rritet numri i stafit shëndetësor në Kosovë; në mënyrë që të ndihmohen kapacitetet e ngarkuara që i kemi sot.

5. Të vendosen të gjithë inspektorët në terren, të mbahet rregull në secilin vend. Rregullat e vendosura në letër e pa mbikëqyrje mbesin vetëm fjalë.

6. Të jepen shtesat financiare për stafin aktual; të ndahet menjëherë buxhet dinjitoz dhe jo lëmoshë! Stafi shëndetësorë ka nevojë; janë të dërrmuar me mbi 18 muaj angazhim.

7. Të shtohen shtretërit për të hospitalizuar qytetarët tanë; Klinika Infektive është mbi çdo kapacitet normal.

8. Qeveria të merret vetëm me pandemi dhe me urgjencë. Të tregojë lidership e të shpëtojë jetë.

Postime të ngjajshme
Lajme

‘Amerika merr në dorë komplet situatën’

LajmeSport

Joshua - Usyk, këtu mund ta shikoni "LIVE" meçin!

Lajme

U mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ja për çfarë u diskutua

Lajme

Tragjike: Vetura del nga rruga dhe bie në lumë, një i vdekur dhe dy të lënduar