Sport

15 yjet qe duhet ndjekur ne “Euro 2020”

Kampionati Evropian “Euro 2020” pritet të fillojë nesër.

Edhe pse me një vit vonesë shkaku i pandemisë COVID-19, Kampionati Evropian “Euro 2020” pritet të jetë më interesant se kurrë më parë, shkruan lajmi.net.

Në këtë vit pritet të ketë përballje të forta ndërmjet Kombëtareve për të siguruar biletat në finale të turneut.

Lajmi.net. ju sjell 15 lojtarë që duhen shikuar nga afër në këtë kampionat pasi pritet të shkëlqejnë pas formës së tyre fantastike me klubet e tyre.

Ilkay Gundogan (Gjermani / Man City)

Sezoni i tij me Manchester Cityn ishte mbresëlënës, Gundogan ishte njëri ndër pikat kryesore të Manchester Cityt në triumfin e tyre në Premierligë, ai kishte shënuar 13 gola në 28 paraqitje në ligë. Mesfushori pritet të jetë njëri nga lojtarët kryesorë të Gjermanisë në këtë kampionat.

Joshua Kimmich (Gjermani / Bayern Munich)

Nën urdhërat e Hansi Flick, Kimmich ka pasur një transferim rrënjësor duke u bërë shtylla e Bayernit në fitoren e tripletës. Ai kishte shkëlqyer nga ndërrimi i pozicionit nga krahu i djathtë i mbrojtjes në mesfushë.

Romelu Lukaku (Belgjikë / Inter)

Pas lëndimit të De Bruyne, Lukaku është shtylla kryesore në Kombëtaren belge. Edhe Roberto Martinez në një konferencë theksoi ndryshimin rrënjësor në lojën e sulmuesit. 28 vjeçari mund të jetë ylli i Belgjikës dhe një golashënues i mundshëm i “Euro 2020”.

Luka Modric (Kroacia / Real Madrid)

Në moshën 35 vjeçare, Modric vazhdon të jetë ende njëri nga lojtarët më të mirë në Evropë. Të gjithë e dinë se kur Modric është në detyrë me Kombëtaren kroate, pritet më e mira prej tij, edhe këtë vit nuk është ndryshe.

Karim Benzema (Francë / Real Madrid)

Me rikthimin e tij pas gjashtë vitesh në Kombëtaren e Francës, Benzema mund të jetë njëri nga lojtarët kryesorë të “Gjelave” në këtë kampionat. Kombinimi i tij në sulm me Griezmann dhe Mbappen është i frikshëm, sulmuesi i “Los Blancos” ka pasur një sezon fantastik dhe në “Euro 2020” hyn me formë të lartë.

Antoine Griezmann (Franca / Barcelona)

Edhe pse me Barcelonën ka vuajtur në këtë sezon, francezi bën të kundërtën për Francën. Dy golat e tij të fundit në miqësore e vërtetuan këtë, Griezmann është lojtar kyç për Deschamps dhe pritet të shkëlqejë në këtë turne, sidomos me kombinimin me Benzeman dhe Mbappen.

N’Golo Kante (Franca / Chelsea)

Njëri nga lojtarët më të përfolur në botën e futbollit, Kante nuk ka nevojë për prezantim. Ai ishte lojtari kryesor i Chelseat në triumfin e tyre në Ligën e Kampionëve, kontributi i tij në ndeshje është i jashtëzakonshëm. Lirisht nga Kante mund të presim paraqitje fantastike në “Euro 2020”.

Harry Kane (Angli / Tottenham Hotspur)

Sezoni më i dobët i Kane u cilësua ky, por ai shkëlqeu me 23 gola dhe 13 asistime edhe pse ishte i lënduar gjatë sezonit. Kjo tregon që anglezi është tejet lojtar efektiv, ai është në kërkim të trofeut të parë në karrierë dhe me Anglinë është tejet i motivuar ta bëjë këtë gjë. Paraqitjet e mira janë diçka normale për të, kështu që ai pritet të jetë lojtari kryesor i “Tre Luanëve”.

Marco Verratti (Itali / PSG)

Marco Verratti është njëri nga lojtarët me paraqitjet më stabile, ai nën urdhërat e Mancinit duket se po shkëlqen. Në partneritet me Jorginhon, ai pritet të shkëlqejë në mesfushën italiane dhe mund të jetë njëri nga lojtarët më të mirë në “Euro 2020”.

Robert Lewandowski (Poloni / Bayern Munich)

Forma e Lewandowskit nuk ka nevojë të përmendet këtë sezon, polaku po përjeton ndoshta vitin më të mirë në karrierën e tij dhe nëse Polonia është në formë, ai mund të bëhet golashënues i “Euro 2020”.

Cristiano Ronaldo (Portugali / Juventus)

Provë që mosha është vetëm një numër, është Ronaldo. Portugezi është më i motivuar se kurrë për të treguar vetën dhe për të fituar tituj me Kombëtaren, ai gjithashtu është vetëm pesë gola larg ta thyejë rekordin e top golashënuesit më të mirë të gjitha kohërave në nivel Kombëtaresh. Ai pritet të jetë figura kryesore e Portugalisë në “Euro 2020”.

Pedri Gonzalez (Spanjë / Barcelona)

18 vjeçari po përjeton sezonin e ëndrrave, ai ishte një lojtar themelor tek Barcelona dhe pavarësisht nga mosha e tij e re, Enrique ka deklaruar se beson në të plotësisht. Me potencialin e tij enorm ai mund të shkëlqejë në këtë kampionat dhe të jetë njëri nga lojtarët më të mirë të Spanjës.

Memphis Depay (Holandë / Lyon)

Depay ka pasur sezon të mrekullueshëm me francezët, ai gjithmonë është protagonist për Kombëtaren dhe ka paraqitje të mira. Edhe ky kampionat nuk pritet të jetë ndryshe, ai është lojtari kryesor në sulmin e “Tulipanëve” dhe mund të shkëlqejë në “Euro 2020” me golat dhe asistimet e tij.

Jadon Sancho (Angli / Borussia Dortmund)

Sancho pavarësisht lëndimit të rij ishte i rëndësishëm për Dortmundin. Ai pritet të jetë një ndihmesë e madhe e Harry Kane tek Anglia ku me golat dhe asistimet e tij pritet të shkëlqejë. Talenti anglez me shpejtësinë dhe dinamikën e tij mund të bëhet figura kryesore e “Tre Luanëve”.

Frankie De Jong (Holandë / Barcelonë)

De Jong është njëri nga lojtarët më të talentuar holanedez, ai me vizionin dhe mençurinë e tij e dirigjon lojën nga mesfusha. De Jong pritet të jetë “magjistari” në mesfushën e Holandës dhe të shkëlqejë në “Euro 2020”.

Postime të ngjajshme
Sport

Mici flet nga Tirana

Sport

Shkëndija nënshkruan kontratë profesionale me mesfushorin 17-vjeçar

Sport

Zyrtare: Trepça ’89 ndahet me futbollistin e njohur

Sport

Tjetër futbollist konfirmon largimin nga Trepça ’89